Lajme

Ministrat Peci e Krasniqi nënshkruajnë memorandum me investitorë të huaj

Ministrat Peci e Krasniqi nënshkruajnë memorandumin e mirëkuptimit me Drejtorin e Përgjithshëm të Integrated Agriculture Technology Agency, Selim Erdem

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci së bashku me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kanë nënshkruar të enjten memorandumin e mirëkuptimit, me Drejtorin e Përgjithshëm të Integrated Agriculture Technology Agency, Selim Erdem.

Siç bëhet e ditur në njoftim, përmes këtij memorandumi të mirëkuptimit, hapën rrugët e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe IATP-KOS dhe investimeve që ky investitor synon që t’i realizojë në Kosovë.

MBPZHR-ja njofton se ky investim ka për qëllim zhvillimin ekonomik të zonave rurale, investimin në infrastrukturë bujqësore e të ngjashme duke prioritizuar punësimin e të rinjve, grave dhe personave me nevoja të veçanta konform Programit Qeveritar 2021-2025.

“Ky investim ka vlera shumë milionëshe dhe planifikohet që të realizohet për një periudhë tre vjeçare me qëllim të krijimit të 55 serrave hidroponike në 38 komunat e Republikës së Kosovës”.

“Në bazë të këtij projekti parashihet që të punësohen një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Kosovës, ndër ta 50% gra, së paku 30% të rinj dhe një numër i konsiderueshëm i personave me nevoja të veçanta”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Më tej, në komunikatë thuhet se “duke pasur parasysh pozitën strategjike të Kosovës dhe potencialin që ofron për zhvillim ekonomik, Ministri Faton Peci dhe Ministri Elbert Krasniqi mirëpresin të gjithë investitorët e interesuar për investim në Republikën e Kosovës, në sektorin e bujqësisë dhe më gjerë”.

“Lidhur me këtë marrëveshje, Ministri Peci, Ministri Krasniqi si dhe Erdem kanë shprehur mbështetjen e ndërsjelltë për realizimin e objektivave të parapara me këtë memorandum të mirëkuptimit”./SHQIP.com