Lajme Botë

Ministrat e Jashtëm të BE-së marrin vendim për të pezulluar plotësisht marrëveshjen e vizave mes BE-së dhe Rusisë

Pas një takimi jozyrtar dy-ditor në Pragë, ministrat e jashtëm evropianë kanë arritur konsensus politik për të pezulluar plotësisht marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Siç raporton CNN, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha në një konferencë shtypi pas takimit se ky vendim “do të reduktojë ndjeshëm numrin e vizave të reja të lëshuara nga vendet anëtare të BE” duke qenë se procesi do të bëhet më i vështirë dhe do të zgjasë më shumë.

Borrell tha se ky nuk është një tekst ligjor, por vetëm një marrëveshje politike në këtë pikë. Marrëveshja do të duhet të miratohet nga të gjitha shtetet anëtare në nivel të Këshillit Evropian.

Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian

Sipas deklaratës së Borrellit që nga mesi i korrikut, ka pasur një “rritje të konsiderueshme në kalimet kufitare nga Rusia në shtetet fqinje, gjë që është bërë një rrezik sigurie për këto shtete”.

“Kemi parë shumë rusë që udhëtojnë për t’u çlodhur dhe për të bërë pazar sikur të mos kishte luftë në Ukrainë. Nuk mund të jetë biznes si zakonisht,” shtoi ai.

Vizat e vendeve të BE-së deri më tani kanë qenë të kufizuara për disa kategori për shtetasit rusë./Shqip.com