Lajme Ballkan

Ministrat e BE-së pritet të diskutojnë situatën në Ballkanin Perëndimor

Flamuri i Bashkimit Evropian

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet që të hënën të diskutojnë për situatën në Ballkanin Perëndimor në takimin e tyre në Luksemburg, pas tensioneve të fundit në disa vende të rajonit – si në Bosnje e Hercegovinë e Mal të Zi ashtu edhe në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Shqip.com.

Ndonëse nuk është formalisht në agjendën e takimit të Këshillit të Çështjeve të Jashtme, kjo temë pritet të diskutohet në fund të takimit.

Siç është paralajmëruar, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të njoftojë ministrat për situatën në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për bisedat që ai i ka zhvilluar në Uashington me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Borrell ka biseduar në Uashington me përfaqësuesit amerikanë edhe për rritjen e bashkëpunimit rreth Ballkanit Perëndimor si dhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Burimet e BE-së kanë thënë se po bëjnë përpjekje për t’i kthyer Kosovën dhe Serbinë në tryezën e dialogut, në mënyrë që të ulen tensionet dhe të parandalohen përshkallëzimet e situatës siç ndodhi në veri të Mitrovicës ditë më pare, raporton REL.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë Goran Gërlliq Radman, ka thënë të hënën, në prag të nisjes së takimit se, situata në rajonin e Ballkanit është përkeqësuar dhe incidentet e fundit në Bosnje e Hercegovinë, në Mali të Zi dhe në kufirin mes Kosovës e Serbisë “janë ngjarje që nxisin shqetësimin tonë serioz”.

Ai ka ftuar BE-në që të merret seriozisht me këto çështje.

Temat kryesore të takimit mes Ministrave të Jashtëm të BE-së, janë situata në Lindjen e Mesme, por edhe problemi me refugjatët, të cilët përmes Bjellorusisë po kalojnë në disa shtete të BE-së. /Shqip.com