Lajme

Mijëra lodra u larguan nga tregu, rrezikonin shëndetin e fëmijëve

Me mijëra lodra që janë të prodhuara në Kinë janë larguar nga tregu, për shkak të kualitetit të tyre.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka bërë të ditur për Shqip.com se gjatë këtij viti ka larguar mbi 4 mijë e 500 lodra të fëmijëve, pasi ato nuk i përmbushnin kërkesat ligjore.

“Gjatë vitit 2022 në total janë larguar nga tregu 4,534 lodra, të cilat janë konsideruar se nuk përmbushin kërkesat ligjore dhe mund të paraqesin rrezik për përdoruesit. Gjithashtu, gjatë këtij viti, Inspektorati i Tregut ka tërhequr nga tregu, si dhe ka kërkuar nga Dogana e Kosovës ndalimin e importit të produkteve lodra për fëmijë imitim i ushqimit, për shkak se lodrat e tilla janë të ndaluara me ligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve”, thuhet në përgjigjen e MINT-it.

Ministria nuk ka dhënë detaje nëse këtë vit ka pasur ndonjë aksion për sigurinë e lodrave, por ka përmendur rastin e vitit 2018, ku ishin sekuestruar rreth 15 mijë lodra.

Llojet e lodrave të cilat janë ndaluar në treg janë të shumta, por sipas Inspektoratit të kësaj ministrie, ato shikohen në bazë të vetive kimike, mekanike dhe djegshmërisë.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë, Violeta Grajqevci, ka thënë për Shqip.com se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë rast të fëmijëve që kanë pësuar infeksion nga lodrat.

Rreth 55 mijë lodra të importuara nga kina për 10 muaj

Në periudhën janar-tetor të këtij viti, në vendin tonë janë importuar rreth 55 mijë lodra të ndryshme që janë prodhim nga Kina.

Vlera e këtyre lodrave të importuara kap shifrën e mbi 283 mijë eurove.

Pjesa dërrmuese e këtyre lodrave janë me përbërës plastike.

Siguria e lodrave në tregun e Kosovës rregullohet me Rregulloren nr. 02/2017, për sigurinë e lodrave.

Efektet negative të lodrave plastike

Lodrat konsiderohet se kanë një rëndësi të madhe psikologjike për fëmijën, por përmbajtja e tyre paraqet një varg rreziqesh për shëndetin e tyre, pasi trupi dhe organet e tyre janë ende në zhvillim.

Disa prej kimikateve më të rrezikshme të fëmijëve janë:

Ftalatet

Janë një klasë kimikatesh që përdoren për zbutjen e plastikës, si PVC (Polyvinyl Chloride), lidhin aromat në produkte dhe veprojnë si tretës. Ekspozimi ndaj rrezikut ndaj këtij produkti, bëhet përmes thithjes së aromave, gëlltitjes ose përtypjes së lodrës plastike et.

Bisphenol A

Është një element që përdoret për të bërë plastikë polikarbonate (plastikë e fortë). Ky kimikat shkakton kancerin e prostatës, kancerin e gjirit, abortet, defektet e lindjes, pubertetin e hershëm, numrin e ulët të spermës, hiperaktivitetin dhe agresivitetin.

Klorur polivinil

Ky kimikat gjendet në lodra si: goma, kukulla, topa plazhi, libra për banjë për foshnjat. Ajo mund të sjellë defekte në lindje, çrregullime riprodhuese dhe zhvillimore, numër i ulët i spermës, testikuj, pubertet i parakohshëm dhe mosfunksionim i mëlçisë. Ka edhe tjera kimikate që janë pjesë e lodrave me përmbajtje plastike.

/Shqip.com