Lajme

Meta: Shqipëria nuk duhet të propozojë politika që duhen zbatuar në Kosovë

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar pas draft statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Meta, përmes një postimi në Facëbook, tha se situata e krijuar në mes të Serbisë dhe Kosovës mund të ndihmohet nga Shqipëria vetëm përmes komunikimit të drejtpërdrejtë e konstruktiv me institucionet e Kosovës dhe Kryeministrin Kurti.

“Nuk ka nevojë për ndërhyrje të njëanshme dhe jotransparente, të cilat acarojnë apo përkeqësojnë situatën, e cila paraqitet delikate. Qeveria shqiptare në asnjë rast nuk duhet të flasë apo të propozojë politika që duhen zbatuar brenda në Kosovë, pa u konsultuar paraprakisht me Kryeministrin dhe institucionet legjitime në Kosovë”, u shpreh ai.

Tutje, Meta the se Asociacioni është marrëveshje tashmë e pranuar nga qeveria e Kosovës, dhe ajo garantohet në Marrëveshjen e Brukselit dhe në Aneksin e Marrëveshjes së Ohrit, të realizuara me mbështetjen dhe negocimin e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Zgjidhja se si do të arrihet Asociacioni, gjendet pra tek respektimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Z. Kurti ka treguar vazhdimisht përgjegjësi dhe vullnet të palëkundur për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa tek Z. Vuçiç nuk e kemi parë në asnjë rast një gjë të tillë, përkundrazi një sërë veprimesh të tij kanë demonstruar të kundërtën”, vazhdon ai.

Ndërsa, ai tha se kryeministri Edi Rama, nëse do të nëse “do të donte të luante një rol mund ta bënte këtë, jo duke luajtur rolin e patronazhistit mbi Kosovën, por vetëm duke i kërkuar Beogradit nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit dhe zbatimin e tyre, njohjen e Kosovës nga Serbia dhe heqjen dorë nga strategjia e tensionimit të vazhdueshëm të situates”.

/Shqip.com