Lajme Ballkan

Meta i përgjigjet Ramës: Ju përshëndes me këtë karikaturë të karikaturistit të preferuar të Sigurimit, Edi apo Edvin Rama

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Ish presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar ndaj një statusi të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, lidhur me përmendjen e emrit të tij nga Autoriteti i Dosjeve.

“Ju përshëndes me këtë karikaturë të karikaturistit të preferuar të Sigurimit, Edi apo Edvin Rama, përshtatur në një shkrim të revistës “Në shërbim të popullit”, 10 tetor 1983, ku çuditërisht në shkrimin e porositur nga Sigurimi flitet për heroizmin e një “Mata Hari” shqiptare të quajtur Neta”, ka shkruar Ilir Meta në llogarinë e tij në rrjetin Social në Facebook.

Kryeministri ka thënë se  në vend  se të kërkojë hapjen e dosjeve, Meta shantazhon kryetaren e Autoritetit të Dosjeve që e ka propozuar vetë në atë post.

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë,  Lindita Nikolla, e ka  konsideruar rastin tronditës.

Në një konferencë për mediat, Nikolla  ka thënë se është e gatshme të mbledhë parlamentin në seancë plenare në cdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri këtë të martë një njoftim në faqen e tij zyrtare ku zbulonte se një personazh me profil të lartë politik me iniciale I.M. rezultonte të ishte bashkëpunëtor. Në të njëjtin njoftim thuhet se institucioni u vu në dijeni me anë të një e-maili dhe pas verifikimit, rezultatet iu vunë në dijeni Kuvendit të Shqipërisë./Shqip.com