Lajme

Mësimi plotësues nuk do ta kompensojë 100% mësimin e humbur

Viti i ri shkollor

Mësimi plotësues do të vazhdojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm shkollor, për shkak të humbjeve të shkaktuara nga pandemia. Ekspertët këtë vendim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, po e konsiderojnë veprim të mirë, pavarësisht që sipas tyre nuk do të mund të kompensohet 100% mësimi i humbur si shkak i pandemisë.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Ismet Potera, thotë se mësimi plotësues s’duhet parë si proces që duhet me doemos të merret një vendim për të, pasi sipas tij, ka qenë traditë gjithmonë e secilës shkollë për ata nxënës që kanë pasur probleme në mësimnxënie.

“Çështja e mësimit plotësues nuk duhet të merret kurrfarë vendimi për të, secili mësimdhënës, e secili mësues nëse nuk ja ka vendosur vetes njëfarë kufiri nën të cilit nuk bën me ra një nxënës, atëherë nuk e di se çfarë ka bërë ai për t’i aftësuar ata fëmijë. E dyta gjithherë në traditën shkollore ka qenë që mësimi plotësues të organizohet në bazë të dhënave që i ka secili mësues për klasën apo lëndën e vet, pasi jo të gjithë nxënësit kanë inteligjencë të njëjtë, dhe në këtë rast jepet edhe mësimi plotësues”, ka thënë Potera për EO.

Ai shton se secila shkollë dhe mësimdhënës e ka të obliguar një gjë të tillë, pasi humbjet nga pandemia janë shumë të mëdha.

“Unë mendoj që secila shkolla dhe secili mësimdhënës e ka të obliguar një gjë të tillë, sepse dihet se çfarë kemi pësuar nga pandemia, atëherë të dhënat e deritashme tregojnë se nxënësit kanë humbur shumë mësim, e tash nëse këtë nuk e kompensojnë deri dikun atëherë ne po ja kthejmë shpinën misionin tonë. Numrat na tregojnë sasi por jo edhe cilësi, unë jam ithtar i asaj që të shihet se cila ka qenë cilësia e organizimit të mësuesve me fëmijët, dhe jam i bindur se 100% nuk mund të kompensohet ajo se çfarë është humbur, por së paku janë përmbushur disa nga nevojat”, ka deklaruar ai.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit “Ed Guard”, Rinor Qehaja, ka vlerësuar se mësimi plotësues është i domosdoshëm qysh para fillimit të vitit të ri shkollor. Qehaja mësimin plotësues nuk po e sheh si risi, por vetëm një përkushtim të mësimdhënësve karshi nxënësve.

“Neve vlerësojmë që mësimi plotësues është i domosdoshëm edhe para fillimit të vitit të ri shkollor sikurse për gjatë gjithë vitit shkollorë, mësimi plotësues nuk na paraqet një risi por paraqet një përkushtim të nevojshme nga komuniteti i mësimdhënësve karshi nxënësve që kanë ngecje në arritjen e rezultateve të nxënit”, ka thënë Qehaja. /Shqip.com