Merkel takon virtualisht liderët e Ballkanit Perëndimor

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të mbajë takime virtuale me liderët e Ballkanit Perëndimor gjatë së hënës së 5 korrikut, njofton Shqip.com.
Merkel shprehet e gëzuar që mund të vijojë bashkëpunimin me kryetarët e shteteve dhe qeverive nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipërinë, Kosovën, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, ndonëse takimi do të bëhet me anë të videos.
Kancelarja gjermane rikujtoi përgjegjësinë e BE-së dhe të Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ai është një pjesë e Evropës, ku nuk janë shëruar ende plagët e luftrave të viteve 90-të, e dhunës ndër grupet etnike. Por, në Gjermani jetojnë edhe shumë shtetas, që i kanë rrënjët e tyre në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo, raporton DW.
“Për mua është mëse e qartë: Ne, shtetet anëtare të BE-së, jemi shumë të interesuara për një zhvillim paqësor dhe të mirë të Ballkanit Perëndimor. Dhe ne kemi një përgjegjësi që të angazhohemi faktikisht për këtë”, shtoi Merkel.
Më tej Merkel u përqendrua edhe te sfidat e rajonit. Sipas saj, edhe në të ardhmen nevojitet pajtim.
“Kjo do të thotë që të trajtohet e kaluara, por edhe të bëhet gjithçka e mundshme që brezi i ri të jetojë në paqe”.
“Unë jam e bindur se me konferencat e përvitshme të Ballkanit Perëndimor, ne mund të ndihmojmë në këtë proces”, përfundoi kancelarja Merkel. /Shqip.com