Mehaj: Sot konfirmohet edhe më fuqishëm bashkëpunimi vëllazëror me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes

Ministri i Mbrojtes së Kosovës, Armend Mehaj, ka deklaruar se të premten do të konfirmohet edhe më fuqishëm bashkëpunimi vëllazëror me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, përcjell Shqip.com.
Kështu u shpreh Mehaj teksa shtoi se mbledhja e së premtes mes dy qeverive do të jetë mundësi për të rikonfirmuar synimet e përbashkëta të dy shteteve në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit vëllazëror.
“Me vëllain tim, Ministrin Peleshi kemi përcaktuar objektivat strategjik, të zbërthyer në plan konkret të bashkëpunimit konkret ushtarak për interesat tona të përbashkëta, si dhe në funksion të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë.
Na priftë e mbara dy qeverive, dy ministrive dhe dy forcave tona drejtë vizionit tonë të përbashkët euroatlantik në aleancë të përhershme me SHBA-në”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ndryshe, të premten do të ketë një takim mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Elbasan, ku raportohet se do të nënshkruhen 15 marrëveshje.
Në kuadër të agjendës bëhet e ditur pos takimit të përbashkët të dy qeverive, do të ketë edhe takim të ndarë mes dy kryeministrave atij të Kosovës, Albin Kurtit dhe Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë.
Përveç këtij takimi të dy homologëve, të njëjtit në fund të kësaj mbledhjeje do të takohen edhe me përfaqësues të bizneseve të të dyja vendeve./SHQIP.com