Lajme

Mehaj për zjarret në Rugovë: FSK e gatshme për reagim me të gjitha kapacitetet

Lokalizimi i vatrave të zjarrit në Rugovë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se në rajonin e Rugovës është zhvilluar operacioni për lokalizimin e vatrave të zjarrit dhe shuarjen e tyre, njofton Shqip.com.

Me anë të një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Mehaj ka thënë se po bëhet përpjekje për të lokalizuar vatrat e reja që janë shfaqur, duke përmendur rastin e Shirokës në Suharekë, ku thotë se zjarri është lokalizuar.

“Operacioni është zhvilluar gjatë ditës në koordinim dhe bashkëpunim me njësinë e helikopterëve të KFOR-it dhe njësisë së zjarrfikës nga komuna e Pejës”, është shprehur Mehaj.

“Janë duke u bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të lokalizuar vatrat e reja që janë shfaqur, sidomos në mbrëmje nga erërat e shfaqura që po vështirësojnë lokalizimin e tyre”.

“Njësitet tona edhe pse ishin të gatshme për reagim në Shirokë të Suharekës, fatmirësisht, zjarri u lokalizua paraprakisht nga autoritetet civile”, tha ai.

Mehaj ka thënë se gjendja është duke u monitoruar pandërprerë dhe FSK është në gatishmëri për reagim me të gjitha kapacitetet në dispozicion. /Shqip.com