Lajme

Mehaj: 2022 ishte vit i zhvillimit të kapaciteteve ushtarake

Në konferencën tradicionale të fundivitit për media, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se ky vit ishte i zhvillimit të kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

Ai gjithashtu ka theksuar se objektivat e ministrisë janë që të vazhdohet koordinimi me aleatët kyç të sigurisë.

“Sukseset i dedikohën të gjithë ushtarakëve të FSK-së, por kemi pasur një bashkëpunim të vazhdueshëm me media në pasqyrimin e punës tonë. Tani vazhdojmë për të ardhmen në koordinim të plotë me aleatët tanë.

Gjithçka që ndërtojmë është në bashkëpunim me aleatët tanë. Kemi objektivat e njëjta që janë kyçe dhe janë në përputhje me sigurinë tonë”, ka thënë Mehaj.

Sipas tij, ishte e nevojshme rritja e moshës deri në 25 vjet për ushtarët e rinjë në mënyrë që të gjithë  mund t’i bashkohen ushtrisë.

“Avancimi i kapaciteteve ushtarake për mbrojtjen e vendit ka qenë dhe mbetet objektivi ynë kryesor. Jemi në përfundim të vitit të parë të kapaciteteve të para që janë pjesë edhe vitit të dytë të tranzicionit.

‘Defender-Europe 23’ objektivi kryesor ku edhe kanë nisur përgatitjet pasi jemi nikoqir dhe presim suksesin e validimit të regjimentit te radhës prej 1,300 ushtarëve”, ka theksuar Mehaj.

Gjithashtu, i pari i mbrojtjes ka deklaruar se është duke u hartuar ligji edhe për ushtarë rezervë.

“Jemi në hartim të ligjit për ushtarët rezervë që është shumë i rëndësishëm që me kohë do të bëhet publik. Një prej fokuseve të FSK-së dhe MM-së është rritja e numrit të grave dhe vajzave ushtarake, tash kemi pjesëmarrjen e 1,44 për qind të grave dhe i ftoj të gjitha gratë dhe vajzat që të bëhen pjesë e FSK-së për t’i shërbyer atdheut”, është shprehur Mehaj.

/Shqip.com