Sport Ndërkombëtar

Mediat serbe “vajtojnë” faktin që Gjokoviqit iu ndalua hyrja në Kosovë

Mediat në Srbi vazhdojnë të jenë plot vrer ndaj Kosovës dhe vendimeve të autoriteteve të saj. Kështu ka ndodhur edhe pas një postimi që ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku e bëri në llogarinë e tij në Twitter.

“No-Vax No entry”, shkroi ai në rrjetin social, duke e vendosur edhe flamurin e Kosovës.

Ministri Çeku ka deklaruar se tenisti serb, Novak Gjokoviq e ka të ndaluar hyrjen në Kosovën derisa ai të vaksinohet. Reagimi i Çekut vjen pas deklaratës së tenistit serb ku e kishte quajtur Kosovën si pjesë të Serbisë.

Në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”, Gjokoviq ka thënë se ka dëshirë të kthehet në Kosovë për t’i pagëzuar fëmijët e tij, teksa kishte thënë se “Kosova është pjesë e Serbisë”.

Pas reagimit të ministrit kosovar, mediat në Beograd, të afërta me pushtetin e Vuçiqit, kanë “shpërthyer” në ofendime e terma skandaloze në drejtim të Kosovës dhe shqiptarëve.

“Novak kërkon të pagëzojë fëmijët në Kosovë, ministri i shtetit të rremë të Kosovës e provokon me një njoftim të turpshëm”, shkroi në artikullin e saj skandaloz gazeta nacionaliste Kurir.

/Shqip.com