Lajme Botë

Mediat: Biden, urdhër ekzekutiv për të ulur numrin e azilkërkuesve në kufirin me Meksikën

Presidenti amerikan, Joe Biden
Presidenti amerikan, Joe Biden

Mediat amerikane njoftuan se Presidenti Joe Biden pritet të nënshkruajë sot një urdhër ekzekutiv që do të kufizojë ndjeshëm numrin e personave që kërkojnë azil në kufirin SHBA-Meksikë.

Sipas zyrtarëve të administratës, me nënshkrimin e këtij urdhri, kufiri do të mbyllej menjëherë, sapo mesatarja e hyrjeve ditore në pikat kufitare, të arrinte në 2,500 vetë. AkTualisht ky numër është shumë më i madh.

Presidenti do të nxjerrë urdhrin ekzekutiv bazuar në nenin në atë që njohet si ‘212 pika f’ e ligjit të miratuar para 72 vjetësh mbi Imigracionin dhe Shtetësinë, i cili i jep presidentit kompetenca të gjerë për të bllokuar hyrjen në vend të imigrantëve, pavarësisht nga lloji i vizave, kur një gjë e tillë besohet se “mbron interesat e Shteteve të Bashkuara”.

Ish-Presidenti Donald Trump u mbështet tek ky nen për disa nga veprimet e tij më të ashpra mbi imigracionin, përfshirë të ashtuquajturin “ndalimi i myslimanëve”, kur ai ndaloi hyrjen në SHBA, të shtetasve nga shtatë vende me shumicë myslimane, apo kur zbatoi politikën e “tolerancës zero” për kalimin e paligjshëm të kufirit. Kjo e fundit çoi në ndarjen e mijëra fëmijëve nga prindërit e tyre. Ish-Presidenti Trump ka premtuar se do të rikthejë politikën e vijës së ashpër mbi imigracionin, nëse ai rizgjidhet në nëntor.

Mediat thonë se Presidenti Biden po i ndërmerr këto masa pas refuzimit në muajin shkurt të një projektligji dypartiak mbi sigurinë e kufirit nga shumica e republikanëve në Senat e disa demokratë. Edhe zoti Trump e kundërshtoi hapur projekligjin.

Disa kryebashkiakë të qyteteve pranë kufirit me Meksikën janë ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të urdhrit ekzekutiv. /VOA

/Shqip.com