“Mediat nuk janë armiku” – AGK kërkon nga pushteti që ta respektojë punën e gazetarëve

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës po shënon Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit me moton “Mediat nuk janë armiku”.
Kryetari i Bordit të AGK-së, Xhemajl Rexha ka kërkuar që politikanët në pushtet të respektojnë punën e gazetarit.
“Ndodh rrallë që politikanët të jenë të kënaqur me punën e mediave, dhe gazetarët nuk kërkojnë dhe presin një gjë të tillë. Por ajo që presin është që njerëzit në pushtet të njohin rolin dhe profesionin e gazetarit dhe ta respektojnë atë”, theksoi Rexha.
Ai ka thënë që fuqia politike duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari.
“Në vend të nxitjes së urrejtjes ndaj gazetarëve, fuqia politike e pushtetarëve sot duhet të përdoret për të përmirësuar ambientin e të bërit gazetari duke adresuar fillimisht të gjitha kritikat që janë dhënë nga raporte kredibile ndërkombëtare”, u shpreh Rexha.
Po ashtu, AGK-ja ka kërkuar që politikanët të ndalin bojkotimin e mediave, të japin llogari rregullisht, të respektojnë legjislacionin për qasje në dokumente publike, të mos sulmojnë apo nxisin urrejtje ndaj gazetarëve, dhe të krijojnë kushte për luftimin efektiv të pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve.
Sipas Indeksit të Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij, Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave.
Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, në krahasim me pozitën e 78-të, që ka mbajtur në vitin 2021.
“Përkundër përparimit, Kosova vazhdon të mbetet në mesin e vendeve me “situatë problematike”, siç e vlerësojnë Reporterët pa Kufij.
Në këtë kategori radhiten edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina./Shqip.com