Lajme

Mediat e Serbisë: Rreth 10 autoblinda serbe nisen për në Jarinje

Autoblindat serbe në drejtim të Jarinjes

Njësi speciale të brigadave serbe janë nisur në drejtim të pikës kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinje, pas situatës së krijuar të hënën me rastin e vendimit të marrë nga qeveria për vendosjen e reciprocitetit të targave, transmeton Shqip.com.

Kështu raporton mediumi serb “Alo.rs”, në artikullin e të cilit thuhet se rreth 10 automjete të blinduara të forcave serbe të sigurisë janë drejtuar për në këtë pikë kufitare dhe në Leposaviq.

Këto raportime janë shoqëruar edhe me disa pamje, ku shihet një numër i madh i autoblindave të  njësive speciale, pamje këto që janë xhiruar nga qytetarët.

“Njerëzit që janë në barrikada po presin ardhjen e tyre”, thuhet në shkrimin e publikuar nga kjo gazetë.

Tensionet e sotme në veri nisën me hyrjen në fuqi të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për reciprocitet të targave me Serbinë.

Për të siguruar se ky vendim po respektohet, Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës po qëndrojnë që nga orët e para të mëngjesit të së hënës në pikën kufitare Jarinje.

Madje për qëndrimin e tyre atje, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla tha se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe se policia ka ndërmarrë të gjitha masat që të mos pengohet lëvizja e lirë.

Këtë masë e vendosur më 20 shtator po e kundërshtojnë një grup banorësh serbë në veri, të cilët kanë protestuar duke blloluar rrugët dhe duke vendosur pengesa.

Madje, në afërsi të kufirit këta protestues kanë ngritur tenda për të kaluar natën, teksa kanë shpalosur një transparent të madh ku shkruhet “Mirë se vini në Asociacionin e Komunave Serbe”. 

Autoritetet në Kosovë po vendosin në veturat me targa të qyteteve të Serbisë, regjistrime të përkohshme për qarkullim brenda në Kosovë. Veturave po u vendoset në xhamin para dhe prapa.

Të njëjtën masë e ka zbatuar tash e sa vite edhe Serbia për automjetet nga Kosova. /Shqip.com