Media italiane: Greqia bllokon integrimin e Shqipërisë për shkak të…Çamërisë

Një nga arsyet e bllokimit që Greqia i bën Shqipërisë, është edhe çështja e Çamërisë, kështu thuhet në një artikull të gazetës italiane “ilriformista.it”.
Teksa bëhet një pasqyrë e shkurtër historike e asaj që ndodhi në Çamëri, gazeta italiane thotë se është e rëndësishme të flitet gjithjë e më tepër për atë që në të vërtetë ndodhi, që ishte persekutimi dhe shpërngulja masive e shqiptarëve nga ushtria greke.
Në vitin 1940 Greqia vendosi ligjin e luftës me Shqipërinë, ligj që e ka në fuqi ende sot, nënvizohet në artikull, teksa theksohet fakti se Athina zyrtare nuk njeh asnjë minoritet etnik apo linguistik.
Megjithatë, sipas artikullit, në rajonin e Çamërisë, jetojnë ende rreth 40 mijë çamë ortodoksë.
“Çamëria është një nga rajonet e shumta të Ballkanit me një pakicë dhe një histori komplekse që ndikon në marrëdhëniet dypalëshe midis shteteve.
Historia dhe kultura e saj duhet të hulumtohen në thellësi për të zgjidhur tensionet politikisht.
Në fakt, diversiteti kulturor dhe pakicat janë një pasuri dhe një karakteristikë themelore e Ballkanit.
Por kjo pasuri duhet të përdoret pozitivisht, në mënyrë gjithëpërfshirëse, jo të shfrytëzohet për të ndarë.
Bashkimi Evropian mund të ndihmojë në mbrojtjen e tij”, përfundon artikulli i gazetës italiane.
Greqia e lidh qëndrimin bllokues me çështjen “Beleri”
Një ditë më parë, gazeta greke, Kathimerini, publikoi tre kushtet për çështjen ‘Beleri’, që Greqia i ka vendosur Shqipërisë për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE.
Ato bazohen në një deklaratë me shkrim të depozituar dje në Komitetin e Përfaqësuesve të Përhershëm dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE-së, për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave.
Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë.
Ashpërsimi i qëndrimit grek sipas gazetës, lidhet me intolerancën që Tirana ka treguar këtë periudhë, por është edhe një mesazh për partneret europianë, të cilët konsiderojnë se Greqia po e bilaterizon çështjen Beleri, duke injoruar dimensionin e saj thellësisht evropian.
Aty thuhet se paraburgimi i Belerit pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar, sipas të cilit është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit.
/Shqip.com