“Më kanë shkaktuar traumë” – asistentja e OVL-UÇK-së dëshmon për pakot me dokumente të Speciales

Gjatë ditës së enjte në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po dëgjohet dëshmia e asistentes teknike dhe recepsionistes në zyrën kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Taibe Miftari, në rastin e gjykimit të krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Para trupit gjykues ka rrëfyer tri rastet kur në OVL-UÇK një person i panjohur ka dërguar dokumente dhe ka thënë se e gjithë kjo i ka shkaktuar traumë për çka ende i bartë pasojat.
Sipas saj, personi i panjohur që kishte sjellë pakon, i kishte thënë “jepja atij që del në televizor”.
Dëshmitarja Miftari tha se me këtë ajo kishte nënkuptuar që fjala ishte për Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin apo Faton Klinakun, pasi që ata kishin paraqitje televizive.
E pyetur nëse e njëjta kishte pasur njohuri se më 6, 17 dhe 21 shtator do të silleshin dokumente në zyrat e OVL-UÇK-së, Miftari e mohoi një gjë të tillë.
Ajo tha se kishte qenë në zyrën e saj kur ishin sjellë këto dokumente dhe se kishte dalluar në pamje fizike se në tri dërgesat kishin qenë persona të ndryshëm.

Por, tha se nuk ka mundur t’i identifikojë pasi që të njëjtit kishin qenë të maskuar me syze, kapelë dhe dorëza.
Miftari deklaroi se kishte pyetur personat se kush ishin, por që të njëjtit ishin larguar duke mos u përgjigjur.
“E lëshoi paketën në një tavolinë të vogël drejt tavolinës sime, ishte një paketë nga kartoni e cila ishte goxha e madhe, isha e ulur në tavolinën time kur e lëshoi paketën dhe tha ‘jepja atij që flet në televizor’. E pyeta kush ishte, por nuk tha asgjë dhe u largua. U ngrita nga karrigia ime dhe e pyeta disa herë kush ishte por ai vazhdoi të ecte, foli në shqip dhe nuk kishte asgjë të pazakontë apo të çuditshme lidhur me mënyrën se si ai foli, nuk i kam kushtuar vëmendje njeriut që po largohej dhe nuk kam bërë ndonjë përpjekje për të ndjekur pas, isha e brengosur që në paketë mund të kishte bombë dhe isha e frikësuar që do të eksplodonte”, ka thënë Miftari në deklaratën e saj me shkrim.
Pas kësaj, ajo ka thënë se ka shkuar në zyrën e kryetarit të OVL-UÇK, Hysni Gucati dhe i ka njoftuar ata.
Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe publikimi i kësaj ngjarjeje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës. /SHQIP.com