ME EMRA/ Lista që nuk bëri fushatë – si i humbi PD zgjedhjet e 11 majit dhe pse fatura politike bie mbi lidershipin

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 u konsideruan historike për Partinë Socialiste, që fitoi mandatin e saj të katërt radhazi – e paprecedentë në politikën shqiptare pluraliste. Por po aq domethënëse ishin edhe për Partinë Demokratike, që e thelloi krizën e saj shumëvjeçare, duke pësuar një humbje dërrmuese. Dhe ndryshe nga ç’ndodh zakonisht, këtë radhë nuk ishte vetëm rezultati ai që shtangu opinionit publik, por mënyra se si opozita, në veçanti PD-ja e Sali Berishës, shkoi në këto zgjedhje: pa fushatë, pa ide, pa njerëz në terren.
Një listë për mbrojtje, jo për fitore
Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike në Tiranë ishte një mesazh i qartë për këdo që e kuptonte politikën: kjo nuk ishte një listë për të fituar pushtetin, por për të ruajtur kontrollin personal të Sali Berishës mbi partinë. Të përfshirë aty ishin vetëm emra të afërt dhe të bindur ndaj tij, figura të rikthyera nga politika e viteve 2000 dhe 2005, si Jozefina Topalli, Flamur Noka, Mesila Doda, Edi Paloka, Fatmir Mediu, apo të tjerë me peshë të vogël publike si Besart Xhaferi, Klevis Balliu, Tedi Blushi. Për më tepër, Berisha si shpërblim për besnikërinë dhe aleancat fluide e në mungesë të parimeve, riktheu në politikën aktive Jozefina Topallin dhe i dha mundësinë Mesila Dodës të ishte sërish në Parlament kur 4-vjeçarin që po mbyllet ishte e padukshme në sallën e Kuvendit.
Lista e mbyllur e Tiranës përfshinte:
Sali Berisha
Flamur Noka
Albana Vokshi
Belind Këlliçi
Tedi Blushi
Jozefina Topalli
Fatmir Mediu
Edi Paloka
Erisa Xhixho
Mesila Doda
Klevis Balliu
Besart Xhaferi
Por ajo që e bëri këtë listë të dështuar nuk ishte vetëm kompozimi i saj, por fakti se pjesa më e madhe e këtyre kandidatëve nuk zhvilluan asnjë lloj fushate elektorale. Nuk dolën në terren, nuk organizuan takime me qytetarët, nuk zhvilluan takime në lagje, nuk patën qendra fushate, madje në shumë raste munguan edhe në rrjetet sociale.
Në anën tjetër, PD pati “luksin” të linte në listën e hapur figura me integritet dhe kontribute ndër vite, me reputacion pozitiv dhe personazhe që kundërshtari politik e ka të vështirë t’i atakojë. Jorida Tabaku, Ilir Alimehmeti, Dhurata Çupi, Asllan Dogjani apo edhe Myslim Murrizi u spostuan në vendet e pasigurta. Vendim i cili u interpretua pikërisht me të ashtuquajturën “listë besnike” ku ata nuk bënin pjesë. Dhe si rezultat, 37 kandidatë të listës së hapur garuan me njëri-tjetrin vetëm për një mandat deputeti, sepse 12 ishin të zënë nga lista e mbyllur, vend i cili i takoi Jorida Tabakut falë numrit të votave që arriti të grumbullojë mbi 20 mijë të tilla.
Mjeku i njohur Ilir Alimehmeti i bërë mjaft i dashur për shqiptarët gjatë periudhës së koronavirusit nuk arrin të jetë në Parlamentin e ardhshëm. Fushata e tij ishte krejt ndryshe nga ajo që prezantoi linja zyrtare e PD. Dhe votat në adresë të tij, pak më shumë se 18 mijë konsiderohen ekzaktësisht si vota refuzimi për atë që përfaqësonte dhe promovonte lidershipi i PD.
Por po ashtu, Kuvendit të ri që inaugurohet në shtator do t’i mungojë edhe një eksperte e çështjeve ligjore, juriste e zonja dhe mbrojtëse e të drejtave të qytetarëve, Dhurata Çupi. Fushata e saj në Qarkun e Tiranës u vlerësua si më pozitivja dhe më e angazhuara në radhët e Partisë Demokratike, duke spikatur për komunikimin e drejtpërdrejtë me qytetarët dhe qasjen konstruktive ndaj problematikave lokale.
Nëse PD do të ishte treguar më racionale, në këto zgjedhje mund t’u kishte krijuar mundësinë për një përfaqësim më të drejtë edhe elementëve të rinj të saj. Grigels Muçollari, Arnold Kariqi apo edhe Erisa Bajaziti janë vetëm 3 nga të rinjtë që spitakën për fushatën qytetare dhe kontaktet direkte me zgjedhësit e Tiranës. Por në përfundim ata që u privilegjuan ishin “xhaketat e vjetra” të listave të mbyllura, besnikët e lidershipit të miksuar me disa të ‘rinj’ që në terren ndjekin modelin e të vjetërve.
Pra, e gjithë fushata parazgjedhore e PD ishte një çorbë e gatuar keq e cila i dha menjëherë simptomat e saj kur fryma e ëndërruar në elektorat nuk po krijohej dhe as u pa të ishte ekzistuese në ndonjë moment.
Të zgjedhur pa u dukur
Në analizën e performancës në rrjete sociale dhe pranisë në media gjatë fushatës zgjedhore, rezulton se emra si Fatmir Mediu, Albana Vokshi, Edi Paloka, Mesila Doda, Erisa Xhixho dhe Besart Xhaferi nuk kanë pasur asnjë lloj angazhimi të dokumentuar publikisht me takime elektorale. Veçon paksa Erisa Xhixho me disa takime sporadike të cilat i ka pasqyruar edhe në rrjetet sociale apo disa portale.
Në Facebook, rrjeti më i përdorur në politikën shqiptare, numri i postimeve që i referoheshin drejtpërdrejt fushatës ishte ose zero, ose i kufizuar në ndarje komunikatash të përgjithshme të partisë.
Në terren, të vetmet figura që patën njëfarë angazhimi ishin Tedi Blushi dhe në masë shumë të vogël Belind Kellici – të dy më aktivë në media dhe në komunikimin online. Por pjesa tjetër? Deputetë të ardhshëm që nuk dolën nga pragu i shtëpisë për të kërkuar votën. Kjo gjeneroi një ndjenjë të thellë pakënaqësie dhe shkëputjeje midis PD-së dhe elektoratit të saj, veçanërisht në Tiranë, ku PS-ja fitoi me një diferencë të madhe, sikurse edhe në 8 qarqe të tjera, përjashto Kukësin, Shkodrën dhe Lezhën që u nda me një grusht votash.
Një strategji që dështoi para se të fillonte
Sali Berisha hyri në këtë garë zgjedhore në kushte të jashtëzakonshme politike: me probleme me drejtësinë, për rreth 1 vit qëndroi në arrest shtëpie, me statusin “non grata” në SHBA dhe Britaninë e Madhe, dhe me një opozitë të përçarë dhe PD të bërë gjithashtu “copash”. Në vend që ta përdorte këtë fushatë për të ringritur strukturën e partisë dhe për të mobilizuar mbështetësit në terren, Berisha vendosi të ndërtojë një koalicion artificial me 26 parti dhe një listë të mbyllur besnikësh që nuk do t’i kërkonin dorëheqjen në rast humbje.
Krahas përpjekjes për të importuar një strateg të huaj – Chris LaCivita, i njohur nga fushatat e Donald Trump – fushata e PD-së rezultoi e vakët, pa mesazhe, pa imazh dhe pa përfaqësim të vërtetë në publik. LaCivita nuk kishte terren për të ndërtuar një “brand politik”, pasi Berisha nuk lejoi që asnjë figurë e re të dilte në pah. Berisha fushatën e diktoi përmes një obsesioni të sëmurë rreth figurës së tij dhe e promovoi veten si kandidat për kryeministër. Pra, u tha shqiptarëve në rast fitoreje të PD, mua do të më keni kryeministër… ndërkohë që në 2013 qeveria e tij është larguar nga pushteti me 1 mln vota kundër dhe me damkën e një formacioni të korruptuar që e la vendin me një gropë të madhe borxhesh të brendshme dhe ndërkombëtare, ndërsa ekonomia po shkonte buzë greminës.
Pasojat: Edhe 4 vite të tjera në opozitë
Në vend të një rikthimi të PD-së në skenën politike, zgjedhjet e 11 majit konfirmuan krizën e thellë të opozitës. PS fitoi një mandat të katërt – dhe tani do të udhëheqë vendin deri në vitin 2029. Berisha ndërkohë, pa legjitimitet zgjedhor dhe i kufizuar në veprimtarinë politike, mbetet i izoluar brenda partisë që dikur përfaqësonte alternativën e vetme ndaj qeverisë.
Më shumë se një humbje, 11 maji ishte një kapitullim politik për PD-në.
Ajo nuk humbi sepse nuk bindi shqiptarët. Humbi sepse hyri për të humbur – nuk luftoi për të fituar!
/Shqip.com