Mbi 90 për qind e profesorëve në Universitetin e Prishtinës janë vaksinuar kundër COVID-19
Mbi 90 për qind e mësimdhënësve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë vaksinuar kundër Coronavirusit, përcjell Shqip.com.
Këtë e ka bërë të ditur Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje me publikun, teksa thotë se nuk kanë të dhëna për përqindjen e vaksinimit të studentëve.
Sipas saj, në sallat e fakulteteve ku numri i studentëve është i madh, do të ndahen në dy grupe të ligjëratave.
“Sa i përket shkallës së vaksinimit Universiteti i Prishtinës ka realizuar rishtas një hulumtim ku ka dal se shkalla e vaksinimit e personelit akademik është më e lartë se 90%, po ashtu një shkallë shumë e lartë është edhe tek personeli administrativ. Nuk disponojmë të dhëna të sakta për përqindjen e të vaksinuarve në radhët e studentëve, por edhe aty besojmë që kemi një përqindje të konsiderueshme dhe besoj që i kemi bërë të gjitha përgatitjet që viti i ri akademik të fillojë me prezencë fizike.
Në ato salla ose fakultete ku numri i studentëve me një grup është shumë i madh janë menduar metoda të tjera alternative, për shembull grupi të ndahet në dy nën grupe, ku me një grup të mbahet një orë mësimore pastaj të ndërrohet me grupin tjetër”, tha ajo për KP.
Ndryshe, ligjëratat në fakultete kanë filluar të mbahen fizikisht nga 15 tetori, duke respektuar udhëzuesit me kusht që numri i studentëve në një sallë të krijojë distancën prej 1.5 metra.
Në disa raste të caktuara, ligjëratat do të organizohen në dy grupe të studentëve – grupi i parë një orë prej 40 minutash, dhe grupi i dytë 40 minuta tjerë.
Për vijim e ligjëratave, studentëve iu kërkohet që të paraqesin dëshminë e vaksinimit kundër Coronavirusit, ose testi ngeativ PCR./SHQIP.com