Mbi 53 mijë vaksina anti-COVID-19 arrijnë në Kosovë nga marrëveshja me “Pfizer”

53 mijë e 820 doza të vaksinës anti-COVID’19 të ‘Pfizer’ kanë arritur të hënën në Kosovë, njofton Shqip.com.
Përmes një njoftimi, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se këto doza janë pjesë e marrëveshjes me kompaninë “Pfizer”.
“Me arritjen e këtyre vaksinave dhe atyre që MSh i ka në stok, procesi i vaksinimit në masë kundër COVID-19 do të fuqizohet edhe më tej, me qëllim të arritjes së objektivit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vaksinimin e 60% të popullatës sipas Planit shtetëror të vaksinimit”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Ndërsa, të hënën, kanë arritur edhe 503 mijë e 100 doza tjera të vaksinës anti-COVID-19.
Këtë e ka bërë të ditur shoqata UNICEF, e cila me anë të një njoftimi në Facebook tha se këto vaksina janë donacion nga Ambasada Amerikane përmes COVAX-it.
Ardhjen e këtyre vaksinave e kishte paralajmëruar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili kishte bërë të ditur se ato do të arrijnë të hënën. /Shqip.com