Lajme

Mbi 15 mijë persona të zhdukur në Ukrainë

Foto nga lufta në Ukrainë
Foto nga lufta në Ukrainë

Mbi 15 mijë persona janë zhdukur gjatë luftës në Ukrainë, tha të enjten një zyrtar në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

Organizata me seli në Hagë, e krijuar pas luftërave në Ballkan në vitet 1990, çeli një zyrë në Kiev në korrik për të ndihmuar Ukrainën në dokumentimin dhe kërkimin e personave të zhdukur.

Matthew Holliday, drejtor për Evropën në ICMP, thotë se është e paqartë se sa njerëz mund të jenë transferuar me forcë, sa mbahen të ndaluar nga Rusia, sa janë gjallë dhe të veçuar nga familjet e tyre, apo sa kanë vdekur dhe janë varrosur në varre të sajuara.

Procesi i hetimit për të zhdukurit në Ukrainë do të zgjasë për vite të tëra, edhe pasi luftimet të jenë ndalur, i tha zoti Holliday agjencisë së lajmeve Reuters. Shifra prej 15 mijë personash të zhdukur është një vlerësim i kujdesshëm po të kihet parasysh se vetëm në qytetin port Mariupol, autoritetet vlerësojnë se rreth 25 mijë persona janë vrarë apo janë zhdukur.

“Shifrat janë tepër të larta, dhe sfidat me të cilat përballet Ukraina janë shumë të mëdha, krahas luftës që po bëjnë me Federatën Ruse”, tha zoti Holliday, raportojnë mediat e huaja.

Ai foli pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkoi që Kombet e Bashkuara të ndëshkojnë Rusinë për sulmet ajrore ndaj infrastrukturës civile, pasi një valë sulmesh me raketa zhyti qytetet e Ukrainës në errësirë, në mes të motit të ftohtë.

/Shqip.com