Marrëveshja për targa, MPB deri më tani ka lëshuar mbi 6 mijë stikersa
Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke u zbatuar me sukses.
Sipas njoftimit, vendosja e targave të përkohshme (stikersave) është duke u vazhduar me një dinamike të lartë.
Sa i përket administrimit të stikersave, MPB-ja njofton se nga data 04 tetor deri më sot (06 tetor) janë lëshuar gjithsej 6,365 stikersa.
Prej tyre, 4,698 janë lëshuar nga Pikat e Kalimit Kufitar dhe 1,667 nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve.
Siç bëhet e ditur në njoftim, ndër komunat me më së shumti kërkesa për stikersa nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve bëjnë pjesë: Zveçani (338), Graçanica (329), Zubin Potoku (228), Leposaviqi (198), Gjilani (109), Shtërpce (88), Kamenica (53), Obiliqi (53), Novobërda (48), e të tjera.
“Ministria e Punëve të Brendshme njofton qytetarët gjithashtu se deri në këto momente puna në Pikat e Kalimit Kufitar dhe Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve është duke vazhduar pa asnjë incident dhe marrëveshja po zbatohet në përpikëri”.
Në fund Ministria e Punëve të Brendshme u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të pajisen me stikersa deri me 8 tetor në Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve dhe stacionet më të afërta policore, në të kundërtën Policia e Kosovës do të gjobitë drejtuesit e automjeteve të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim./SHQIP.com