Lajme

Manjati ukrainas i drithërave u vra në granatimet ruse të Mykolaiv

Një nga biznesmenët më të pasur të Ukrainës është vrarë me gruan e tij në granatimet “masive” ruse të qytetit jugor të Mykolaiv.

Oleksiy Vadatursky, 74 vjeç dhe gruaja e tij Raisa vdiqën kur një raketë goditi shtëpinë e tyre gjatë natës, thanë mediat ukrainase, raporton BBC.

Z. Vadatursky zotëronte Nibulon, një grup i përfshirë në eksportet e grurit. Ai kishte marrë edhe çmimin “Hero i Ukrainës”.

Kryetari i bashkisë së Mykolaiv, Oleksandr Senkevych tha se ishte ndoshta bombardimi më i rëndë rus i qytetit deri më tani.

Dëme ka pasur një hotel, një kompleks sportiv, dy shkolla dhe një servis, si dhe banesa.

Mykolaiv është në rrugën kryesore për në Odesa, porti kryesor i Ukrainës, dhe është goditur vazhdimisht.

Udhëheqësi i rajonit Vitaliy Kim tha se Vadatursky “bëri shumë për rajonin e Mykolaiv, shumë për Ukrainën.

“Kontributi i tij në zhvillimin e industrisë bujqësore dhe të ndërtimit të anijeve, zhvillimin e rajonit është i paçmuar”, tha ai në Telegram.

Nibulon ka ndërtuar shumë objekte magazinimi dhe infrastrukturë tjetër për eksportimin e grurit .

Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të grurit dhe drithërave të tjera, dhe ndërprerja e eksporteve të shkaktuara nga lufta ka bërë që çmimet e ushqimeve të rriten në mbarë botën.

Të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga OKB në Turqi javën e kaluar, që synon lehtësimin e krizës ushqimore./Shqip.com