Lajme

LVV merr ofertë nga LDK e PDK për koalicion në Vushtrri

Kandidatët për kryetar të Vushtrrisë nga LDK e PDK

Derisa kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, nuk e ka konsideruar të pamundur një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 nëntorit, Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës thotë se një ofertë për bashkëpunim veçse ia ka dërguar LVV-së.

Tahiri në ‘Info Magazine’ të Klan Kosovës tha se janë duke pritur përgjigje nga Vetëvendosja për ofertën që i kanë bërë.

“Aleanca jonë më e rëndsishme është ajo me qytetarët e Vushtrrisë, por ne jemi të gatshëm edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse ka vullnet me nga të dyja palët. Ne i kemi bërë ofertën tonë dhe po presim përgjigje edhe nga Vetëvendosja edhe nga subjektet e tjera politike”, u shpreh ai.

Kandidiati i LDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Xhafer Tahiri

Një përgjigje nga kjo parti po e pret edhe Idrizi i PDK-së, i cili u shpreh i gatshëm që në këtë garë të hynë me LVV-në, “pasi në Vushtrri kanë një strukturë me të rinj shumë të përgatitur”.

“Unë kam hyrë i vetëm në këtë garë, koalicionin e kam bërë me qytetarët. Kemi në plan koalicionet, ju kam bërë ofertë të gjitha subjekteve politike përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilëve ua kam dërguar personalisht në selinë e tyre ofertën për koalicion”.

“Nga ata pres një përgjigje, deri tani nuk kemi bërë ndonjë koalicion zyrtar, jemi në bisedime, nga ana jonë disponimi dhe vullneti im është që të hyjmë në garë me LVV-në, pasi në Vushtrri kanë një strukturë me të rinj të cilët janë shumë të përgatitur”, ka thënë Idrizi.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi

Zgjedhjet lokale të 17 tetorit në qytetin e Vushtrrisë çuan në balotazh Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më vetëm 1% dallim në rezultatin për kryetar të komunës, Ferit Idrizi nga PDK doli i pari me 34.89 për qind, ndërsa kryetari aktual, Xhafer Tahiri nga LDK u rëndit i dyti me 33.77 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje me kandidatin për kryetar, Arsim Rexhepi është renditur e treta me 26 për qind të votave. /Shqip.com