Lumezi: Janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 18 janë në arrati

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka konfirmuar se janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë gjatë aksionit të Inspektoratit Policor të Kosovës të koduar “Pika”.
Lumezi tha se të arrestuarit dyshohen për marrje ryshfetit dhe keqpërdorim të autoritetit zyrtar.
“Gjatë hetimeve kemi ardhur në përfundim se janë duke u u kryer vepra penale të marrjes së ryshfetit në disa pika doganore. Dhe në momentin e zbulimit të indentitetit të kryersve, kemi nxjerrë vendimin kundër 68 personave”, tha Lumezi në konferencën për media.
“Sot janë arrestuar 50 zyrtarë shtetërorë, 48 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe dy nga shërbimi doganor i Kosovës. Ndërsa personat tjerë ndaj të cilëve është nxjerrë vendimi për arrestim janë në arrati, disa nuk janë shtetas të Kosovës”, tha Lumezi.
Ndër tjerash, kryeprokurori i shteti theksoi se janë duke bashkëpunuar me autoritetet e Shqipërisë për të siguruar provat për disa zyrtarë policor të cilët dyshohet se kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar.
Të arrestuarve iu janë konfiskuar telefona mobil të cilat sipas Lumezit, do të shërbejnë në procedurë penale.
Ky është aksioni më i madh i shënuar deri tani në vitin 2022./Shqip.com