Lajme

“Lufta në Ukrainë ndikoi që Kosova ta shtojë vigjilencën edhe më shumë në veri”

kolonel Sefer Isufi shef i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes

“Pjesa veriore e Kosovës është zona më sensitive sa i përket mundësisë për cënim të integritetit apo mundësisë për provokim nga Serbia dhe elementet që Rusia ka instaluar në Serbi” – kështu ka deklaruar për Shqip.com, kolonel Sefer Isufi shef i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes.

Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka bërë që ministri i Mbrojtjes të Kosovës, Armend Mehaj të kërkojë nga komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Forenc Kajar, që të shtojë kapacitetet në pikën kufitare në Mitrovicën veriore.

Isufi tha se Kosova ka ngritur vigjilencën që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, KFOR-i me të gjithë mekanizmat e saj të inteligjencës, monitoron në vazhdimësi dhe vëmendje maksimale të gjitha lëvizjet dhe aspektet e sigurisë për parandalimin e cënimit të integritetit territorial dhe sigurisë së qytetarëve të vendit. Atë e bëjmë në kondita të përheshme në 24/7, mirëpo eskalimi i situatës në Ukrainë ka bërë që institucionet tona ta shtojnë vigjilencën edhe më shumë”, deklaroi Isufi.

Misioni i KFOR-it

Ai shtoi se ndërmarrja e masave në veri ka ndodhur për shkak se “ai brez kufitar është i cënueshëm dhe prandaj janë marrë masat të krijohet një mjedis i qetë dhe i sigurtë”, përfundoi Isufi për Shqip.com.

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./Shqip.com