Lladrovci: Qeveria Kurti ka hequr buxhetin për ndërtimin e rrugës Komoran-Drenas-Skenderaj

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se projekti i rrugës me katër korsi që lidh Komoranin me Drenasin dhe Skenderajin nuk është realizuar sepse Qeveria Kurti ka hequr buxhetin.
Ai tha se Qeveria Kurti ka hequr buxhetin e paraparë prej 17 milionë eurosh.
“Kjo qeverisje ma ka hequr buxhetin për ketë rrugë kanë qenë 17 milionë të parapara edhe në vitin 2021 edhe në atë 2022 i ka hequr, janë 600 mijë euro dhe me to nuk mund ta bësh as një urë” tha Lladrovci në Rubikon.
Lladrovci ka thënë së rruga duhej të nisej nga rruga kryesore, ku qarkullimi i qytetarëve është më i madh dhe jo nga rruga dytësore që është nisur.

“Rruga do duhej të nisej prej Komoranit në drejtim të Drenasit, pastaj në drejtim të Skenderajt, sepse gjithë qarkullimi i qytetareve të Drenasit dhe atyre të Skenderajt është më i madh prej Drenasit në drejtim të Komoranit, por jo prej Skenderajt në Drenas, sepse është qarkullim më i vogël, pra rruga duhet të niset prej rrugës kryesore në rrugë dytësore”, tha Lladrovci.
Sipas tij, rruga që është rregulluar në të cilën përfshihet territori i Drenasit është vetëm nga fshati Polluzhë deri në fshatin Gllobar, ku dhe është ndalur.
“Rruga në territor të komunës time është bërë nga Polluzha deri në Gllobar, aty është ndalur dhe nuk ka vazhduar për Komoran, ministrat e infrastrukturës kanë dashur ta qojnë majtë e djathtë për interesa të ndryshme. Rruga Gllobar – Drenas – Komoran është e shpronësuar prej viteve 70-ta” tha ai.
Lladrovci tha se bazuar në premtimet e Qeverisë Kurti, kjo rrugë do të përfundoj në vitin e ardhshëm./Shqip.com