Zëvendëspresidenti i Brazilit: Brazili nuk është neutral, mbështet Ukrainën

Ministria e Punëve të Jashtme të Brazilit, të enjten ka bërë një deklaratë, duke kërkuar “pezullimin e menjëhershëm të armiqësive dhe fillimin e negociatave” pas pushtimit rus të Ukrainës.

“Brazili bën thirrje për pezullimin e menjëhershëm të armiqësive dhe fillimin e negociatave që çojnë në një zgjidhje diplomatike të çështjes, bazuar në Marrëveshjet e Minskut dhe që merr parasysh interesat legjitime të sigurisë të të gjitha palëve të përfshira dhe mbrojtjen e popullatës civile.” thuhet në deklaratën e diplomacisë braziliane.

Presidenti Jair Bolsonaro, i cili u takua me Presidentin e Rusisë Vladimir Putin javën e kaluar dhe i shprehu “solidaritet” Rusisë, nuk ka bërë deklaratë publike.

Ndërkaq, qëndrimi i qeverisë braziliane ndaj Rusisë dhe Ukrainës nuk duket pa anim.

Duke folur për shtypin të enjten në mëngjes, zëvendëspresidenti i Brazilit Hamilton Mourão dënoi pushtimin rus të Ukrainës dhe kërkoi veprime përtej sanksioneve ekonomike ndaj qeverisë së Putinit, shkruan CNN.

“Për mendimin tim, sanksionet e thjeshta ekonomike – që është një formë e ndërmjetme sanksioni – nuk funksionojnë.”

Ai tha gjithashtu se nevojiten veprime të rëndësishme nga aleatët për t’i ofruar mbështetje ushtarake ukrainasve.

Mourão thotë se Brazili mbështet Ukrainën.

“Brazili nuk është neutral. Brazili e ka bërë shumë të qartë se respekton sovranitetin e Ukrainës. Pra, Brazili nuk pajtohet me një pushtim të territorit ukrainas”.