Zelensky: Ukraina ka paraqitur kërkesën kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Kjo kërkesë vjen pasi Zelensky tha se trupat trupat ruse kanë në shënjestrim civilët duke përfshirë fëmijë.
“Ukraina ka paraqitur kërkesën e saj kundër Rusisë në GJND. Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për manipulimin e nocionit të gjenocidit për të justifikuar agresionin. Ne kërkojmë një vendim urgjent që urdhëron Rusinë të ndërpresë aktivitetin ushtarak tani dhe presim që gjyqet të fillojnë javën e ardhshme”, ka shkruar Zelensky në “Twitter”.
Luftimet kanë shpërthyer në rrugët e Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, pasi forcat ruse hynë në qytet.
Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë më parë se kishte në shënjestër vetëm infrastrukturën ushtarake.
“Forcat e Armatosura të Federatës Ruse nuk godasin qytete dhe qyteza, ato marrin të gjitha masat për të shpëtuar jetën e civilëve”.
Por Zelensky tha se Rusia ka gënjyer kur “thanë se nuk do të synonin popullsinë civile. Që në orët e para të pushtimit, trupat ruse kanë goditur infrastrukturën civile”, përfundoi presidenti ukrainas.