Zelensky telefonon Ramën

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka bërë të ditur se ka pranuar një telefonatë nga presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky.

Rama ka theksuar se Zelenksy e ka falënderuar për siç ka thënë ai gjithçka që Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin ukrainas, Evropën dhe mbarë botën.

“Sot pata një telefonatë nga Presidenti Zelensky, i cili më falënderoi për gjithçka Shqipëria po bën në këto ditë tragjike për popullin e tij, për Europën e për mbarë botën, duke nisur nga roli ynë si bashkëpenëmbajtës me SHBA në Këshillin e Sigurimit, tek ndihmat e dhëna për ushtrinë ukrainase, si edhe angazhimi intensiv në kanalet diplomatike me partnerë të rëndësishëm, në mbështetje të Ukrainës”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka thënë se i ka shprehur presidentit ukrainas po ashtu të gjithë admirimin dhe solidaritetin e popullit shqiptar në Shqipëri e në Kosovë, me të dhe rezistencën ukrainase, si edhe vullnetin e plotë për të bërë gjithçka mundemi në përmasën tonë të vogël, që Ukraina të triumfojë në luftën e saj liridashëse.