Vuçeviq: Serbia e vendosur ndaj paqës dhe kërkesës për marrëveshje politike

Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq ka thënë se shteti i tij mbetët i vendosur ndaj paqes dhe për të kërkuar marrëveshje politike.

Siç raportojnë mediat serbe, Vuçeviq tha se ata po tentojnë që të shmangin çdo përshkallëzim të mundshëm.

“Serbia mbetet e vendosur ndaj paqes dhe dialogut dhe do të provojë gjithçka që mund të bëjë, edhe pse duhet të bëjë një hap më tej për të ruajtur paqen dhe për të kërkuar marrëveshje politike, për të shmangur çdo përshkallëzim të mundshëm,” tha Vuçeviq.

Vuçeviq beson se serbët janë të mençur dhe të përgjegjshëm e kështu do të shmangin provokimet dhe konfliktet e mundshme.

“Kjo nuk do të thotë se kemi frikë, por thjesht kërkojmë që nëpërmjet dialogut politik të gjendet një zgjidhje për të ndalur këtë terror kundër serbëve që po vazhdon dhe askush nuk mund ta kundërshtojë atë, ata mund ta quajnë atë çfarë të duan, por kjo është tani në vazhdimësi një seri e tërë lëvizjesh nga Prishtina dhe Albin Kurti dhe qeveria dhe administrata e tij, Që ka për qëllim krijimin e kushteve që mbijetesa e serbëve në Kosovë është e pamundur”.

Vlen të theksohet se këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet që të takohen me krerët e shtetit të Kosovës.

Siç raporton REL, takimet e ndërkombëtarëve me qeveritarët do të zhvillohen në orët e pasditës ndërsa, me krerët e opozitës do të takohen ditën e marte.

Ky takim në mes udhëheqësve të Kosovës dhe përfaqësuesve amerikan erdhi në kohën kur veriu i vendit është i tensionuar.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.