Von Cramon: Qeveria po rrezikon shumë, dialogu është zgjidhja e vetme

Raportuesja për Kosovën, në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka mbajtur një konferencë për media, ku tha se situata në veri nuk është e qëndrueshme.
Ajo tha se, ndonëse kryetarët janë zgjedhur në mënyrë legjitime, “askush nuk mund të qeverisë me një apo dy për qind të votave”.
“Kryetarët janë zgjedhur në mënyrë legjitime, por kjo nuk nënkupton që ata kanë fuqi legjitime që të hyjnë në objekte dhe që këtë qasja ta sigurojnë më forcë, askush nuk mund të qeverisë me një ose dy për qind të votave. Situata nuk është e qëndrueshme”, tha Cramon.
“Ju e dini që unë jam mbështetëse e pavarësisë së Kosovës, mbështes integritetin e Kosovës, në tërë territorin e saj. Vizitova veriun, jam shumë brengosur jo vetëm unë, është situatë shumë e vështirë e tensionuar, shumë njësi speciale, automjete të blinduara janë vendosur në veri”.
Ajo tha se situata nuk është e qëndrueshme dhe se gjendja, “është larg nga ajo si pasqyrohet nga disa media”.
Tutje Von Cramon, tha se me veprimet e fundit në veri, Qeveria e Kosovës, po rrezikon shumë, duke thënë se në vend të forcës, Qeveria duhet të përdor masa të tjera të përafrimit të qytetarëve të Kosovës.
“Duhet të kemi masa për ndërtim të besimit, sepse jo të gjithë janë kriminel, por ndjehen se etiketohen si kriminelë, jo të gjithë janë kukulla të Beogradit por ashtu perceptohet”.
Von Cramon, theksoi se dialogu është zgjidhja e vetme për të dalë nga situata.