Vërshimet në Skenderaj, Nura shpallë gjendje të jashtëzakonshme

Si pasojë e reshjeve dhe vërshimeve në Komunën e Skenderajt, kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë”, ka thënë Nura.

Po ashtu është bërë e ditur se Shtabi Emergjent tashmë gjendet në teren.

“Që nga orët e mëngjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrolle, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut”, ka thënë Nura.

Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara, ka shtuar më tutje Nura.