Të paktën 117 fëmijë të vrarë nga sulmet ruse në Ukrainë

Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë të paktën 117 fëmijë janë vrarë dhe më shumë se 155 të tjerë janë plagosur.

Këtë e ka bërë të ditur Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, ku sipas njoftimit shumica e viktimave janë raportuar në ose rreth kryeqytetit ukrainas Kiev (58) dhe në qytetin verilindor të Kharkiv (40), shkruan BBC

Tutje në njoftim thuhet se në Kharkiv, një tank rus goditi një makinë që i përkiste një familjeje që udhëtonte me dy fëmijë.

Prokurorët thonë gjithashtu se në qytetin port jugor të rrethuar të Mariupolit, autobusët e evakuimit që transportonin fëmijë u goditën nga granatimet ruse.

Ndërkaq janë regjistruar 548 raste ku shkollat dhe objekte të tjera arsimore janë goditur, 72 prej të cilave thonë se janë “shkatërruar plotësisht”.

Ata shtojnë se shifrat që raportojnë nuk janë përfundimtare për shkak të vështirësive për të hyrë ose inspektuar vende në disa pjesë të vendit.

Pushtimi rus në Ukrainë filloj më 24 shkurt, ndërsa tani Ukraina ndodhet në ditën e 27-të të luftës.

Ukraina gjithashtu tha se Rusia ka deportuar me forcë më shumë se 2000 fëmijë.