Tahiri për marrëveshjen: Kuvendi duhet ta bëjë korrigjimin e këtij dështimi

sh-kryediplomatja kosovare në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se marrëveshja e arritur në Ohër nuk është e mire pasi nuk ka njohje dhe i detyrohemi themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Përmes një postimi në Twitter, Tahiri tha se Kuvendi i Kosovës duhet ta bëjë korrigjimin e këtij dështimi historik.

“Kosova e fitoi luftën ndaj Serbisë, Kryeministri Kurti e dështoi Kosovën në tavolinë historikisht dhe strategjike. Pranoi marrëveshjen pa njohje me Serbinë, me asociacion dhe autonomi për pakicën serbe. Kuvendi i Kosovës dhe deputetët duhet ta bëjnë korrigjimin e këtij dështimi historik duke mos miratuar këtë marrëveshje; të mos lejojnë këtë kapitullim të Kosovës përballë Serbisë, por ta jetësojnë kapitullimin e Serbisë në Kumanovë në 1999, të cilën e arritëm me luftën, gjakun dhe diplomacinë e mençur të shqiptarëve”, shkroi Tahiri.

Kujtojmë se Bashkimi Evropian ka bërë publik planin e për zbatimin e marrëveshjes së arritur.

Në shtojcën e publikuar thuhet se Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha Nenet e Marrëveshjes dhe këtë Aneks, dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi, në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.