Sveçla: Thirrjet për protestë nuk i ndihmojnë Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas thirrjeve për protestë në jug të Mitrovicës, ndaj qytetarëve shqiptarë.
Sveçla tha se thirrjet për protestë dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës.
“Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, tha tutje Sveçla.
Më herët edhe policia e Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shpërfillin thirrjet për protestë, pasi janë të dyshimta dhe “qëllimkëqija”.
Policia ka ftuar qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e organizimit nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.