Situata në veri, reagon NATO: Jemi të gatshëm të ndërhyjmë nëse rrezikohet stabiliteti

Situata e krijuar në Kosovë, ku policët serbë dorëzuan uniformat e tyre dhe Lista Serbe deklaroi se do të largohet nga institucionet në Kosovë, e kanë sjellur një momentum të ri në vend.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Prishtina dhe Beogradi duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin e situatës, ka shkruar në një reagim në Twitter, Mircea Geona.

Kurse për zhvillimet e fundit, ai ka treguar se ka biseduar edhe me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Bisedova me përfaqësuesin special Miroslav Lajçak për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin”, ka shkruar Geoana.

Tutje ai është shprehur se NATO është e gatshme për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti.

“NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilentë dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet stabiliteti”, ka shkruar Geona në rrjetin social Twitter.