Shkollat në veri pezullojnë procesin mësimor

Shkollat fillore dhe ato të mesme në veri të Kosovës kanë pezulluar procesin mësimor.

Kjo ka ndodhur për shkak të tensioneve të krijuara atje.

Drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava”  në Mitrovicën Veriore, Miodrag Jovanoviq e ka konfirmuar pezullimin e punës në shkollat e veriut për REL.

Ai nuk dha detaje se deri kur nuk do të shkojnë nxënësit në shkollë, por vetëm tha se një vendim i tillë është marrë të dielën mbrëma.

“Me shumë gjasa” është marrë nga institucionet kompetente, tha ai.

Shkollat në mjediset serbe në veri të Kosovës funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

Që nga 6 dhjetori, në veri të Kosovës janë shënuar një sërë incidentesh të armatosura.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.