Shefi i NATO-s: Dhuna po e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për “Pobjeda” tha se dhuna e kthen prapa Kosovën dhe gjithë rajonin, duke vënë në pikëpyetje aspiratat euroatlantike.
Tutje, ai tha se si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, “të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog me mbështetjen e BE-së, e cila është e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme”.
Shefi i NATO-s, tha se dënon fuqishëm sulmet ndaj trupave të KFOR-it, në veri të Kosovës dhe se sulme te tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen.
“Po dërgojmë në Kosovë edhe rreth 500 ushtarë të tjerë nga rezerva operative për Ballkanin Perëndimor dhe kemi vënë në gatishmëri një batalion shtesë rezervë, që edhe ata të dislokohen sipas nevojës. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij”, tha ai.
Tutje ai tha se misioni i KFOR-it do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999”.