Shefi i EULEX-it: Patrulla jonë u sulmua duke iu afruar barrikadave të Rudarit

Situata e sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës, është shumë e tensionuar dhe do të ishte shumë keq nëse edhe serbët nga jugu do të largoheshin nga institucionet.

Kështu ka deklaruar kreu i EULEX-it, Lars Gunnar Vigemark.

“Patrulla jonë u sulmua duke iu afruar barrikadave afër Rudarit në veri të Mitrovicës, në këto barrikada kishte popullatë serbe, por nuk mund të them me 100% siguri se kush e hodhi bombën, falënderoj për deklaratat e presidentit Vuçiq dhe të tjerëve në të cilat kërkohet që EULEX-i dhe KFOR-i të mos sulmojnë njëri-tjetrin dhe se ne jemi këtu për të përmbushur mandatin tonë”, ka deklaruar Vigemark.

Sipas Vigemark, EULEX-i së bashku me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, po i përcjell me vëmendje zhvillimet.

“Siç e dini, ka një sërë barrikadash në rrugë, veçanërisht në rrugën nga Mitrovica për në Leposaviq, Jarinje dhe më tej për në Serbi. Gjithashtu, ka edhe disa barrikada të tjera. Në përgjithësi, mendoj se popullata vendase, qofshin ata serbë të Kosovës apo shqiptarë të Kosovës apo grupe të tjera etnike, por sigurisht që po flasim për serbët etnikë dominues që janë shumicë atje, janë shumë të shqetësuar. Njerëzit janë të frikësuar. Ka më shumë se një muaj që kur serbët janë larguar nga institucionet e Kosovës ka një vakum sigurie”, ka thënë Vigemark.

Sot, është dita e gjashtë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.