SHBA u ka kërkuar 12 diplomatëve rusë të OKB-së që të largohen nga vendi, konfirmon zëvendësambasadori

Flamuri amerikan

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar 12 diplomatëve rusë të Kombeve të Bashkuara që të largohen nga vendi për shkak të angazhimit të tyre të pretenduar në “aktivitete që nuk ishin në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre si diplomatë”, këtë e ka bërë të ditur ambasadori Richard Mills, Zëvendës Përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të hënën pasdite. 

Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, u përgjigj duke thënë se shpjegimi i Mills për dëbimet ishte “jo i kënaqshëm”. 

Misioni i SHBA-së në OKB tha gjithashtu në një deklaratë se 12 diplomatët rusë ishin “operativë të inteligjencës…të cilët kanë abuzuar me privilegjet e tyre të qëndrimit në SHBA duke u angazhuar në aktivitete spiunazhi që janë të dëmshme për sigurinë tonë kombëtare”.

“Ne po e marrim këtë veprim në përputhje me marrëveshjen e selisë. Aksioni i sotëm ka qenë në punë prej disa muajsh,” tha zëdhënësja e Misionit të SHBA, Olivia Dalton.

Nebenzia së pari njoftoi lajmin për dëbimet gjatë një konference të mëparshme për shtyp në OKB të hënën pasdite.

Ai tha se nuk e dinte cilët 12 diplomatë ishin në mesin e atyre që u kërkua të largoheshin, por tha se zyrtarët amerikanë vizituan misionin rus në OKB dhe dërguan një letër duke kërkuar që ata të largoheshin nga vendi deri të hënën e ardhshme, më 7 mars, raporton CNN.

“Sapo mora informacionin se autoritetet amerikane kanë ndërmarrë një tjetër veprim armiqësor kundër Misionit rus në Kombet e Bashkuara duke shkelur rëndë angazhimet e tyre për marrëveshjen e vendit pritës që ata ndërmorën,” u tha Nebenzia gazetarëve. 

“Ata sapo vizituan misionin rus dhe na dhanë një shënim që na urdhëronte të bënim atë që ata kërkojnë.”