Reshje të mëdha shiu, disa zona me reduktime për ujë të pijes

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut është rritur turbullira e ujit në kanalin e Iber-Lepencit.

Kjo është bërë e ditur nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” përmes një njoftimi për media, ku thuhet se në disa zona do të ketë reduktime të ujit të pijes.

“Të nderuar konsumatorë ju njoftojmë se si shkak i reshjeve të dendura atmosferike  në afërsi dhe rreth liqenit të Ujmanit kemi ngritje të turbullirës së ujit në kanalin e Ibrit Lepencit.
Impianti i Trajtimit të ujit në Shkabaj dhe Drenas, nuk kanë mundësi teknike të trajtojnë ujin për pije.
Si pasojë e kësaj, Fushë Kosova së bashku me Zonën Industriale, lagjja Kalabria, Obiliqi do të ketë  redukime të ujit duke filluar sot nga ora 10: 00 dhe do zgjasë deri në 16:00, pastaj ujë do të keni nga ora 16:00- 20:00, pastaj reduktim nga ora 20:00-04:00 të mëngjesit”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se pozitë më e rënduar qëndron në Komunën e Drenasit ku do të ndërmerren disa veprime për të iu dal  në ndihmë qytetarëve.

“Në pozitë më të rënduar e kemi komunën e Drenasit, por autobotët/ autocisternat do jenë aty për t’i furnizuar qytetarët me ujë. Po ashtu edhe në Fushë Kosovë në kohën e reduktimit do të vendosim autobot për furnizim me ujë deri në tejkalimin e situatës. Fshatrat e Podujevës do të reduktohen gjatë ditës diku rreth 3 orë. Një situatë e tillë vazhdon deri në  përmirësimin e situatës me turbullirë në kanal”.

Nga “Kru Prishtina” thonë se vendimi i radhës do të vijë varësisht prej situatës me reshjet atmosferike.