Reagon Krasniqi pas vërshimeve: I bëj thirrje qeverisë që të ndërmerr veprimet e nevojshme

Ai ka bërë të ditur se gjatë ditës ka biseduar me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, dhe me kryetarin e Mitrovicës, Bedri Hamza, dy komuna që gjatë ditës janë përfshirë nga vërshimet.
Gjithashtu, Krasniqi ka shprehur solidarizimin e plotë me dy kryetarët dhe me qytetarët e këtyre dy komunave.
“Reshjet atmosferike kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të tjera në shumë qytete të Kosovës, posaçërisht në Mitrovicë dhe Skenderaj, duke i ballafaquar qytetarët me mungesa të ujit të pijshëm, bllokim të rrugëve dhe dëme të konsiderueshme materiale. Gjatë ditës së sotme kam komunikuar me kryetarët e Mitrovicës dhe Skenderajt, Bedri Hamza dhe Fadil Nura, ku u kam shprehur solidarizimin e plotë me ta dhe qytetarët e këtyre dy komunave në këto momente të vështira për ta”, ka shkruar Krasniqi.
Kreu i PDK-së i ka bërë thirrje qeverisë që të ndërmerr veprime të shpejta dhe të krijoj ekipet e nevojshme për menaxhim.
“Duke qenë se parashikimet për motin paralajmërojnë një javë me reshje të vazhdueshme, i bëjë thirrje qeverisë të ndërmerr veprime të shpejta dhe të krijojë ekipet e nevojshme për menaxhim të mirë të situatës, me qëllim të minimizimit të dëmeve. Rastet si në vitin e kaluar, ku ekonomitë familjare dhe bizneset kanë pësuar nga vërshimet dhe keqmenaxhimi i situatës, është e papranueshme të përsëriten. Në raste të tilla të krizave emergjente, qytetarët duhet ta kenë ndihmën dhe mbrojtjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të shtetit, krahas veprimeve konkrete për kompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara”, ka përfunduar Krasniqi.