Rashiq: Ka një afat për heqjen e barrikadave

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se ka një afat për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe se ato do të hiqen nga ata që i kanë vendosur.

Ai nuk ka dashur të flasë në detaje për atë afat, por ka theksuar se barrikadat janë vendosur në mënyrë që Beogradi të forcojë pozicionin e tij në negociatat për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Prishtinën.

Rashiq pret që heqja e barrikadave të bëhet përmes një marrëveshjeje politike.

“Nuk do të hyj se kush dhe si i organizoi barrikadat, edhe pse të gjithë e dimë këtë. Nuk ka nevojë të përsëritet, por zgjidhja më e drejtë është ta bëjmë politikisht, pra me marrëveshje. Meqë ra fjala, mendoj se barrikadat janë ngritur që pozita negociuese në këtë rast të Beogradit të jetë më e mirë ose më e fortë. Edhe pse ka pasur spekulime për këtë, ka ende një afat, disa e quajnë marrëveshje përfundimtare, por besoj se do të jetë një nga marrëveshjet përfundimtare sepse marrëveshjet janë gjithmonë proces dhe zbatimi i marrëveshjes është gjithashtu i vështirë”, thotë Rashiq.

Ai pret që propozimi franko-gjerman të jetë baza e marrëveshjes ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.Ai thotë se nuk do të donte që barrikadat të hiqen me dhunë.

Rashiq ka theksuar se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për kthimin e serbëve nga veriu në institucione, në radhë të parë në Polici, raporton Radiokim.