Rama për përleshjen në Kuvend: Kjo formë e kundërshtimit është të njollosësh krejt shtetin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas përleshjes në mes pozitës dhe opozitës të enjten në Kuvendin e Kosovës.

Rama e ka quajtur “të turpshme” sjelljen  e opozitës dhe uroi që e njëjta të distancohej nga veprime të kësaj natyre.

“Imagjinojini si ndjehen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushta! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, ka shkruar Rama.

Tutje, Rama, e ka quajtur formën e kundërshtimit të shprehur në Kuvend nga opozita si një të atillë në dëm të vendit.

“Të mos jesh dakord me kryeministrin është demokratike, ta shprehësh kështu kundërshtinë është të njollosësh veten, zgjedhësit e tu dhe krejt shtetin me një turp që sot i bën dëm Kosovës edhe ndërkombëtarisht, më shumë se sa çfarëdo qëndrimi politik që po ia kundërshton kryeministrit!”, ka shkruar ai.