Rama pas sulmit në Deçan: Meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është deklaruar rreth sulmit të së premtes në Gllogjan të Deçanit, ku mbetën të vdekur tre persona si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri, njofton Shqip.com.

Ai nëpërmjet një postimi në Twitter, tha se autori i këtij krimi meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë.

Rama kështu u shpreh teksa u shprehi ngushëllime familjeve të të vrarëve në rastin tragjik të Deçanit.

“Jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve”, ka shkruar Rama.

“Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, tha më tej ai.

Dy nxënës dhe shoferi i një autobusi kanë mbetur të vrarë pas një sulmi me armë zjarri në Gllogjan të Deçanit, ndërsa një nxënës tjetër është i plagosur, por se tashmë është jashtë rrezikut për jetë.