Rama: Ishte një kampanjë fer, sot votojmë për të ardhmen e qytetit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka votuar të dielën në Fakultetin Juridik-Ekonomik, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Ai tha se ndjehet i lumtur që i përket një vendi ku ka proces demokratik në ngjatje si zgjedhjet.

“Ka qenë kampanjë fer dhe kemi pasë mundësinë me pa e me dëgju dhe sot jam i lumtur që jetoj në shtetin demokratik të Kosovës ku të gjithë kemi të drejtë të japim votën tonë dhe të marrim vendimin për të ardhmen e qytetit”, ka thënë ai.

“Unë ndihem shumë i lumtur dhe ftoj të gjithë të dalin e të votojnë dhe ta zgjedhin drejtuesin e kryeqytetit”, shtoi më tej Rama.

Rama është një nga pesë kandidatët e partive më të mëdha politike në vend, për kryetar të Prishtinës.

Përveç tij, në garë për kryeqytetin janë edhe Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje, Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa Gëzim Mehmeti kandidon nga Aleanca Kosova e Re. /Shqip.com