Rakiq flet nga veriu i Mitrovicës, kërkon lirimin e serbëve të burgosur

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq përmes një videomesazhi ka thënë se ata dëshirojnë vetëm paqe dhe dëshirojnë ti ruajnë familjet e tyre.

Rakiq foli në të ashtuquajturën sipas tij “Shtab i krizës” duke thënë se po kërkojnë lirimin e serbëve të burgosur.

“Ajo që po kërkojmë është paqja, arsyeja për të gjitha palët, para së gjithash për Prishtinën dhe që qytetarët tanë të pabazuar të lirohen dhe që Albin Kurti të tërheqë të gjitha njësitë që dërgoi në veri, pra të ndalojë ngacmimin e fëmijëve tanë dhe të ndalojë gjuetinë e serbëve,” tha Rakiqi.

Rakiq tha se tek barrikadat nata ka kaluar qetësisht.

“Në emër të shtabit të krizës, dua të informoj publikun se nata kaloi paqësisht, kryesisht falë njerëzve trima që janë këmbëngulës për të mbijetuar në këtë rajon, për të ruajtur shtëpitë e tyre dhe për të ruajtur paqen. Duam vetëm një gjë, duam paqe. Ne nuk duam asgjë tjetër, ne duam vetëm të ruajmë familjet tona dhe familjet tona,” tha Rakiqi, raporton Kosovoonline.

Me 10 dhjetor, serbët  në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada me qëllim të pengimit të dërgimit të ish-policit, Dejan Pantiç drejtë organeve të drejtësisë.

Siç kanë konfirmuar nga Policia, bllokimi i rrugëve ka ndodhur në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok duke pamundësuar kështu lëvizjen e lirë dhe mallrat.

Po ashtu në Rudarë të Komunës së Zveçanit ata kanë vendosur dy kamionë me gurë.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Pantiqi dyshohet se ka organizuar sulm terrorist në zyrat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve.

Krahas kësaj, me datën 8 dhjetor është plagosur një pjesëtar i Policisë së Kosovës në veri si dhe janë shënjëstruar policia në rrugën që shpie për në Bërnjak- Ata iu kanë kundërpërgjigjur sulmit.