Qeveria reagon pas vërshimeve: Kemi ngritur nivelin e gatishmërisë

Pas reshjeve të mëdha që po vazhdojnë dhe vërshimeve në shumë pjesë të vendit, Qeveria e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur nivelin e gatishmërisë së kapacitetit koordinues dhe reagues, me qëllim të reagimit ndaj situatës së krijuar. Megjithatë, siç njofton, deri tani vetëm po monitoron përkundër situatës tashmë të rëndë.

“Sipas informacioneve nga tereni janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete.

Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Tutje, bëhet thirrje që meqenëse, Instituti Hidrometerologjik i Kosovës, ka parashikuar përkeqësim të motit edhe gjatë ditës së nesërme, të gjithë qytetarët në zonat e rrezikuara të bëjnë kujdes me lëvizjet e tyre në orët në vijim, të shmangin kalimet në rrugët me prezencë uji, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.

Gjithashtu qeveria bën të ditur se qytetarët mund të thërrasin edhe në këta numra:

Njësinë më të afërt Profesionale te Zjarrfikës dhe Shpëtimit, në numrin e telefonit 193,

Policinë e Kosovës, në numër të telefonit 192,

Ndihmën e shpejtë , në numër të telefonit 194.