Qeveria pas takimit trepalësh: Ka dakordim për heqjen e barrikadave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim gjatë mbrëmjes, të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në njoftimin e lëshuar nga qeveria bëhet e ditur se në takim kishte dakordim të përbashkët që duhet të hiqen barrikadat në veri të cilat pengojnë lëvizjen e lirë.

“Diskutuan për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe hapat e mëtejmë, zhvillimet e fundit në vend dhe çështjet aktuale”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Tutje, theksohet se Qeveria e Kosovës ka ofruar qasje konstruktive për normalizimin e raporteve me Serbinë.

“Përmes gatishmërisë për takime dhe diskutim, Republika e Kosovës ka dëshmuar në vazhdimësi së është palë konstruktive që angazhohet për arritjen e një marrëveshje ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të raporteve të ndërsjella me Serbinë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në njoftim.